Lajme

Mediumi boshjak për masakrat në Kosovë: Në Serbi po fshihen si këmbët e gjarprit, çfarë lloj njerëzish mund të bëjnë krime të tilla shtazarake

Një medium nga Bosnja dhe Hercegovina ka publikuar një shkrim me disa të dhëna që thotë se janë marrë nga zbulimet e ushtarëve të NATO-s pas hyrjes në Kosovë.

Mediumi “Slobodna Bosna” (shq. Bosnja e lirë), shkruan për numër të madh të shqiptarëve të vrarë e madje edhe të djegur tërësisht në kompleksin minerar të Trepçës, raporton Shqip.com.

Teksti i plotë pa ndërhyrje:

Historia jonë e sotme ju kthen në vitin 1999, kur forcat e NATO-s hynë në territorin e Kosovës.

Gjatë viteve 1998 dhe 1999, ushtria serbe filloi dëbimin masiv të shqiptarëve, tri javë pas nisjes së aksionit të NATO-s, ku u regjistruan 525.787 refugjatë nga Kosova. Një muaj më vonë, ky numër u rrit në 781,618 refugjatë.

Në kulmin e konfliktit, ishin regjistruar 862,979 refugjatë shqiptarë të dëbuar nga zona, që është rreth 43 për qind e popullsisë së përgjithshme të Kosovës. Rreth 440.000 prej tyre ikën në Shqipëri dhe rreth 300.000 në Maqedoni. Edhe pse autoritetet në Beograd u përpoqën të tregonin se persekutimet ishin rezultat i fushatës së NATO-s, refugjatët raportonin rregullisht se ata ishin dëbuar nga ushtria dhe policia serbe.

Janë raportuar shumë raste të përdhunimeve të grave shqiptare.

“Human Rights Watch” ka regjistruar 96 raste të ngacmimeve seksuale nga ushtarët serbë, në mesin e tyre gjashtë raste të grave që janë vrarë pas përdhunimit. Ka pasur edhe raste të raportuara përdhunimesh në grup. Me gjithë këtë, as APJ dhe as Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë nuk bënë përpjekje për të hetuar apo ndëshkuar raste të tilla.

Sipas dëshmive, ushtria serbe në mënyrë sistematike transportonte kufomat e shqiptarëve në kompleksin minerar të Trepçës afër Mitrovicës, ku i dogjën.

Sipas raporteve të dëshmitarëve të mbrojtur, në Trepça u shkatërruan midis 1200 dhe 1500 kufoma.

Në maj të vitit 2001, qeveria serbe njoftoi se një kamion plot me 86 kufoma shqiptare ishte hedhur në Danub në Serbi gjatë luftës në Kosovë.

Midis marsit dhe qershorit të 1999, ushtarët serbë shkatërruan mijëra shtëpi shqiptare në mbarë Kosovën me artileri, buldozerë, eksplozivë dhe zjarrvënie.

Është regjistruar edhe shkatërrimi i xhamive. U regjistruan edhe grabitje të pronave.

Në disa raste, veçanërisht ato që kishin lidhje të ngushta me UÇK-në, fshatra të tëra u shkatërruan.

Qytetet Pejë dhe Drenas u dëmtuan shumë. Sipas anketës së UNHCR-së, e cila ka mbuluar 285 fshatra të Kosovës, 9,809 nga gjithsej 35,185 shtëpi (28 përqind) janë shkatërruar plotësisht.

Gjatë luftës, forcat serbe helmuan qëllimisht puset dhe rrjedhimisht burimet e ujit të pijshëm. Ata hodhën kimikate, kafshë të ngordhura dhe madje edhe kufoma njerëzore në puse. Sipas Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq, nga 20 mijë puset në Kosovë, gjysma ishin helmuar.

Sipas raporteve të HRW, më së shumti grabitje kanë ndodhur në fshatin Bellanicë (Suharekë). Më 31 mars 1999, njësitet policore dhe paraushtarake serbe hynë në fshat, mblodhën banorët dhe u kërkonin para nën kërcënimin se do t’i vrisnin fëmijët e tyre. Në atë mënyrë u vranë dhjetëra shqiptarë. Ka pasur edhe raste kur militantët kanë hyrë në një banesë dhe kanë kërkuar para nga pronarët e shtëpisë.

Midis marsit dhe qershorit 1999, forcat serbe të sigurimit arrestuan shqiptarë dhe i detyruan të hapnin llogore, bunkerë dhe të bënin punë të tjera të rënda fizike, të cilat HRW e karakterizon si punë të detyruar. Gjatë ndërhyrjes së NATO-s, forcat serbe të sigurisë detyruan civilët shqiptarë që ndodheshin pranë tyre ose ndërmjet pozicioneve serbe, duke i përdorur si mburoja njerëzore, gjë e cila është e ndaluar sipas nenit 28 të Konventës së Katërt të Gjenevës.

Një dëshmitar nga Malisheva deklaroi se ai ishte në një grup prej 500 civilësh, të cilët u mbajtën pranë kufirit shqiptar kur forcat serbe sulmuan lokacionet e UÇK-së.

Forcat serbe vendosën gjithashtu 50,000 mina në të gjithë Kosovën, përgjatë kufirit me Shqipërinë dhe Maqedoninë. Përllogaritjet e numrit të përgjithshëm të të vdekurve variojnë nga 10,000 deri në 15,000.

Fondi për të Drejtën Humanitare ka bërë studimin më të gjerë dhe më të saktë të atij konflikti deri më tani dhe ka regjistruar gjithsej 13,472 viktima në territorin e Kosovës nga janari 1998 deri në dhjetor 2000.

Në hulumtimet e mëvonshme, ata kanë marrë një shifër prej 13,421 viktima të luftës në territorin e Kosovës, nga të cilët 10.533 shqiptarë (78 për qind), 2.238 serbë (17%), 126 romë (1%), 100 boshnjakë (1%) dhe 424 të tjerë.

/Shqip.com