Lajme

Mediat ndërkombëtare shkruajnë për marrëveshjen Kosovë-Serbi

Ilustrim

Arritja e marrëveshjes midis Kosovës dhe Serbisë për çështjen e targave e arritur në Bruksel gjatë mbrëmjes së djeshme ka bërë jehonë në mediat ndërkombëtare.

Hap gjigandë – kështu titullohet artikulli i mediumit Aljazeera. Po ashtu edhe mediumi BBC i ka kushtuar një artikull të veçantë arritjes së marrëveshjes midis Kosovë dhe Serbisë.

Pos Aljazeerës dhe BBC, për arritjen e marrëveshjes midis Kosovës dhe Serbisë kanë shkruar edhe mediat si Euronews, DW dhe AP.

Në reagimin e Departamentit të SHBA-ve kërkohet normalizimi i marrëdhënieve midis dy vendeve.

“Shtetet e Bashkuara mirëpresin marrëveshjen e arritur ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për masat për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm të tensioneve. Ne përgëzojmë më tej marrëveshjen e dy vendeve për t’u përqendruar plotësisht dhe urgjentisht në normalizimin e marrëdhënieve nën kujdesin e dialogut të lehtësuar nga BE. Ne mbështesim dialogun e lehtësuar nga BE-ja si rruga më e mirë për të avancuar të ardhmen evropiane të Serbisë dhe Kosovës” thuhet fillimisht në reagimin e SHBA-ve.

Po ashtu Shtetet e Bashkuara të Amerikës  mirëpresin vendimin e palëve për të vënë në krye të vendimmarrjes interesat e të gjithë njerëzve të tyre dhe për të ndërmarrë hapa për të përmirësuar jetën e përditshme të qytetarëve të tyre.

“Të dy palët bënë një hap gjigant përpara sot, me lehtësimin e BE-së, drejt garantimit të paqes dhe stabilitetit në të gjithë rajonin. Shtetet e Bashkuara përshëndesin negociatat konstruktive dhe inkurajojnë përparimin e mëtejshëm drejt normalizimit të marrëdhënieve” thuhet në reagim.

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, ka shpërndarë një deklaratë të lëshuar nga Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell pas arritjes së marrëveshjes për targat në Bruksel me dy kryenegociatorët nga Kosova dhe Serbia.

Borrell ka konfirmuar që ditëve të ardhshme palët do të ftohen për të diskutuar për normalizimin e plotë. Tutje, ai ka thënë se mund t’i ndërpres negociatat, nëse palët e bllokojnë procesin.

Mes tjerash, në deklaratë thuhet se palët kanë rënë dakord që të shmangin përshkallëzimin e mëtejshëm dhe me urgjencë të përqendrohen te normalizimi i plotë i marrëdhënieve, përmes propozimit të njohur si franko-gjerman, të mbështetur nga BE, thuhet mes tjerash në deklaratë.

Të gjitha zhvillimet rreth marrveshjes se arritur gjeni ne permbledhjen LIVE

/Shqip.com