Lajme

Me 2 shkurt vendimi i Apelit për Gucatin e Haradinaj

Javën e ardhshme, respektivisht më 2 shkurt, 261 ditë pas vendimit të shkallës së parë, Paneli i Gjykatës së Apelit do të bëjë shpalljen e aktgjykimit të Apelit në çështjen Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj.

Ndryshe, më 18 maj 2022 është shpallur aktgjykimi ndaj Hysni Gucatit e Nasim Haradinajt, ku trupi gjykues i  shpalli fajtorë për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, frikësim gjatë procedurës penale dhe shkelje të fshehtësisë së procedures.

Ata u dënuan me nga katër vjet e gjysmë burgim, ku do të llogaritet koha e kaluar në paraburgim, dhe me gjobë prej 100 eurosh për secilin. Ndërkaq, u liruan nga përgjegjësia penale për hakmarrje.

Hysni Gucati së bashku me Nasim Haradinaj, akuzoheshin për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës.

Më 25 shtator 2020, Gucati dhe Haradinaj u arrestuan si të dyshuar nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, me mbështetjen e EULEX-it dhe policisë së Kosovës dhe u transferuan në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë.

Paraqitja e parë e Haradinaj si i dyshuar u mbajt më 29 shtator 2020 dhe paraqitja e parë e Gucati si i dyshuar u mbajt më 1 tetor 2020, raporton Betimi për Drejtësi.

/Shqip.com