Mazhoranca voton ligjet mes kaosit të opozitës, rikthehet “Bastet Sportive”
Me 72 vota pro ka kaluar sot ligji për ‘Bastet Sportive’, mes kaosit dhe tensioneve që ‘mbërthyen’ Kuvendin e Shqipërisë gjatë seancës plenare këtë të enjte.
Edhe kjo seancë ka vijuar për gati 12 minuta mes kaosit.
Deputetë të opozitës zbarkuan në sallën e seancave plenare, ku duke i rënë bilbilave, penguan zhvillimin normal të Kuvendit dhe mbajtën të bllokuar foltoren.
Kjo detyroi kryeparlamentaren Lindita Nikolla të kalonte për votim rendin e ditës, mes tyre dhe ligjin për lojërat e fatit.
Po ashtu mes protestës së opozitës Kuvendi votoi edhe shtesën për ligjin e festave zyrtare.
PD pati kërkuar interpelancë me kryeministrin Edi Rama lidhur me akuzat e ish-zv/kryeministrit Arben Ahmetaj i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga SPAK, por kreu i qeverisë mungoi në seancë.
Rama ndodhet në Bruksel në një vizitë zyrtare dhe si rrjedhojë ai e kishte deleguar interpelancën te ministrja e Shtetit, Elisa Spiropali. Gjë e cila u refuzua nga opozita dhe deputeti i PD, Arbi Agalliu.
Por kaosi në Kuvend ka çuar në përplasje edhe vetë demokratët. Deputetja Elda Hoti i fiku mikrofonin Agalliut, duke mos e lejuar që të flasë. Në foltoren e Kuvendit ai nuk u lejua të përcillte mesazhin e tij lidhur me refuzimin e interpelancës nga shefi i qeverisë.
/Shqip.com