Lajme

MASHTI u përgjigjet komunave: Zëvendësimi i orëve, sipas kalendarit të Ministrisë

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka thënë se orët e humbura mësimore në shtator si pasojë e grevës pesë javësh, duhet të zëvendësohen sipas vendimit që ka nxjerr MASHT  para disa ditësh.

Kjo ishte edhe kundërpërgjigja që ministra ia ka bërë Asociacionit të Komunave, të cilët propozuan që orët e humbura të kompensohen duke u shtuar pesë orë gjatë javës.

Ata më tej, ia kanë publikuar edhe letrën me përgjigje të Nagavcit.

“Sa i përket propozimit tuaj që kompensimi i 22 ditëve të humbura të bëhet duke shtuar nga 5 orë Brenda javës për çdo nxënës, ju njoftojmë se praktikisht dhe teknikisht është e pamundur të realizohet një gjë e tillë, si nga aspekti pedagogjik, ashtu edhe ai logjistik. Në këtë mënyrë, do të zgjatej dita e punës në shkolla, gjë që do të shkaktonte çrregullime në shkollat që punojnë në dy ndërrime, si dhe do të shkaktohej një barrë shtesë psikologjike e emocionale për fëmijët”, ka thënë Nagavci në përgjigje.

Më 7 tetor, kryetarët e komunave patën kërkuar që orët e mësimit të zëvendësohen çdo ditë duke shtuar orë në fund të ndërrimit. Arsye ishin përmendur se mësimi gjatë pushimeve ngarkon familjet, shton shpenzimet për ngrohje të shkollave e do të kishte telashe me transport publik.

/Shqip.com