Masat e njëjta anti-COVID vazhdojnë edhe për dy javë

Masat anti-COVID të cilat janë në fuqi deri më sot, do të vazhdojnë edhe për dy javë të tjera, njofton Shqip.com.
Kështu është rekomanduar në takimin e djeshëm virtual midis ushtrueses së detyrës së Ministres së Shëndetësisë, Dafina Gexha, dhe kryetarëve të komunave.
Sipas njoftimit, u vlerësua se masat e vjetra do të vazhdojnë për arsye të fushatës për zgjedhjet e 17 tetorit, dhe fillimit të mësimit.
Sa i përket vaksinimit, ushtruesja e detyrës së ministres së Shëndetësisë, informoi Kryetarët e Komunave se deri tani për moshat mbi 16 vjet janë vaksinuar 67.5% e popullatës me dozën e parë dhe 47.6% me dozën e dytë.

Në anën tjetër ka një rënie dhe stabilizim të situatës me infeksionet dhe përhapjen me virusin e pandemisë Covid-19.
“Andaj vlerësim i përgjithshëm është që këto masa të vazhdojnë edhe për dy javët e ardhshme sidomos tani që ka nis shkolla dhe kemi fushatën për zgjedhjet lokale me 17 tetor”, është thënë në njoftimin e asociacionit.
“Në anën tjetër Asociacioni i Komunave të Kosovës kërkoi që me datën 18 tetor (një ditë pas zgjedhjeve të 17 tetorit – ditën e zgjedhjeve lokale) të mos mbahet mësimi por të dezinfektohen shkollat meqë aty pritet të mbahen votimet dhe atë me buxhet të siguruar nga niveli qendror për komunat meqë mjetet komunale në shërbime dhe mallëra janë në limite të vogla”.
“Poashtu u kërkua që në ambiente të jashtme të lejohet tubimi deri në 50 persona të vaksionuar si dhe të hiqen maskat kur një person vetëm është duke ecur”.
Nga Kryetarët e Komunave u kërkua që të shikohet mundësia e heqjes së orës policore dhe të vazhdojë furnizimi i Komunave me barna esenciale. /Shqip.com