Ekonomi

Lulzim Rafuna: Qeveria të rritë pagat

Kryetari i Odës Ekonomike, Lulzim Rafuna, ka folur për inflacionin në vend, krizën e energjisë, çështjen e pagave, si dhe për mungesën e investimeve të huaja direkte.

Ai ka thënë se Qeveria duhet të rritë pagat, në mënyrë që të luftohet më mirë inflacioni.

“Qeveria ish dashur në minimumin e inflacionit të indeksojë pagat. Kjo do të ishte e mirëseardhur, sepse me këtë jo vetëm që rritet konsumi, por rritet edhe besueshmëria, e qytetarët fillojnë të shpenzojnë, sepse ata kanë filluar të kursejnë, duke bërë që të bjerë konsumi. Kur bie konsumi, ka sasi më pak të mallit të prodhuar, por edhe tkurrje të ekonomisë. Ne jemi me një situatë kur na duhet t’i përdorim të gjithë mekanizmat e mundshëm. Pra, nëse sot Qeveria si rezultat i inflacionit vetëm në doganë ka mbledhur më shumë se 80 milionë, atëherë pa problem këtë shumë mund ta shpërndajë në paga dhe këto para do të qarkullojë në Kosovë dhe do të ketë ndikim zinxhiror”, ka thënë Kryetari i Odës Ekonomike Lulzim Rafuna në një intervistë për Radio Kosovën.

Gjithashtu, ai ka përmendur edhe ligjet të cilat i bëjnë thirrje Qeverisë për rritje të pagave në nivelin e rritjes ekonomike të vitit të fundit.

Sipas Rafunës, atë çka kemi mundur ta blejmë me 500 euro vitin e kaluar, në këtë vit nuk mund ta blesh me 700 euro.

“Ligji për Menaxhimin e Financave Publike e ka një nen që thotë se Qeveria duhet të rrisë pagat në nivelin e rritjes ekonomike të vitit të fundit. Përveçqë është obligim ligjor, e ka edhe rekomandim nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, që është rast i rrallë që rekomandon për rritje pagash. Dhe është nevojë urgjente për shkak të inflacionit, sepse ka humbur vlera për para, atë çka kemi mundur ta blejmë me 500 euro vitin e kaluar, në këtë vit nuk mund ta blesh me 700 euro”, ka thënë Rafuna.

Sipas tij, minimumi që duhet Qeveria apo institucionet t’i rrisin pagat janë nën nivelin e inflacionit e çdo përqindje tjetër është e mirëseardhur.  

/Shqip.com