Lajme

Lufta me zjarret, BE-ja dërgon avion në Shqipëri

Në faqen zyrtare të Komisionit Evropian njoftohet se një avion ushtarak shumëfunksional nga Rumania, me kapacitet 6 ton ujë, do të vije në 14 gusht në vendin tonë, si pjesë e mbështetjes emergjente të BE për Greqinë dhe Shqipërinë.

Situata më problematike është në Parkun Kombëtar të Prespës, në Malin e Thatë, ku prej 7 ditësh vazhdojnë të punojnë forca të zjarrfikësve nga të gjitha bashkitë e Qarkut të Korçës dhe efektivë të Forcave të Armatosura.

Në Parkun e Prespës po punojnë vetëm forca tokësore që thuajse e kanë të pamundur të përballojnë intensitetin e flakëve.

Situatë e vështirë është edhe në malin e Tomorit, ku mesditën e se hënës nisi një zjarr në kurorën me pisha, pikërisht në vendin ku pas pak ditësh nis pelegrinazhi për besimtarët bektashinj.

Flakët kanë përshirë dhe Parkun Kombëtar të Alpeve në Tropojë, ndërsa po punohet për shuarjen e plotë të vatrës në qafën e Kolecit.

Flakët kufizohen me shkëmbinj dhe sipas emergjencave nuk kanë rrezik për t’u përhapur.

Pas punës së pandërprerë, strukturat operacionale të Emergjencave Civile kanë vënë nën kontroll mbrëmjen e së hënës vatrat e zjarrit në bashkinë e Selenicës.

Një natë me parë, dy familje janë evakuuar në lartësitë e Mesopotamit në Finiq, si pasojë e flakëve në këtë zonë.

/Shqip.com