Lojërat Olimpike futboll: Brazili dhe Spanja kualifikohen tutje, ndërsa Argjentina dhe Franca eleminohen

Gjatë së mërkures janë zhvilluar edhe ndeshjet e fundit të fazës së grupeve në kuadër të Lojërave Olimpike që po zhvillohen në Tokyo, shkruan Shqip.com.
Në Grupin A, Japonia ka befasuar Francën pasi mposhtën kampionët aktual të botës me rezultat të thellë prej 4-0.
Golat për japonezët i shënuan Takefusa Kubo në minutën e 27-të, Hiroki Sakai në minutën e 34-të, Koji Miyoshi në minutën e 70-të dhe në minutat e fundit të ndeshjes rezultatin e përmbylli Daizen Maeda.
Pas kësaj fitore Japonia zë vendin e parë në grup dhe lë Francën jashtë garës për medalje olimpike.

Në po të njëjtin grup, u zhvilluar edhe ndeshja mes Afrikës së Jugut dhe Meksikës.
Meksikanët e fituan këtë ndeshje me rezultat 3-0, për ta eleminuar kundërshtarin nga Lojërat Olimpike, dhe për t’i siguruar vetes kualifimin në fazën tjetër.
Gola për Meksikën i shënuan: Alexis Vega në minutën e 18-të, Luis Romo në minutën e 45-të dhe Henry Martin në minutën e 60-të.

Në grupin B, Zelanda e Re dhe Romania janë ndarë në paqe pasi ndeshja ka përfunduar pa gola.
Ky rezultat i konvenoi skuadrës së Zelandës pasi siguroi kalimin në fazën tjetër të Lojërave Olimpike, kurse Romania mbeti jashtë garës.

Nga ana tjetër, Korea e Jugut ka mposhtur me rezultat 6-0 Honduarasin, duke siguruar kështu kalimin në fazën tjetër të Lojërave Olimpike.
Golat për jug-koreanët i shënuan: Ui-Jo Hwang në minutën e 12-të, 45-të dhe 52-të, Du-jae Won në minutën e 19-të, Jin-ya Kim në minutën e 64-të dhe Kang-in Lee në minutën e 82-të.

Në ndeshjet e Grupit C, Egjipti ka mposhtur Australinë me rezultat 2-0 për të siguruar kalimin në fazën tjetër të këtyre garave, derisa australianët mbetën jashtë.
Golat në këtë ndeshje i shënuan Ahmed Rayan në minutën e 44-të dhe Ammar Hamdy në minutën e 85-të.

Nga ana tjetër ndeshja mes Spanjës dhe Argjentiës përfundoi me rezultat 1-1, shifra këto që i dërguan argjentinasit në shtëpi, derisa i siguruan kalimin tutje spanjollëve.
Golat në këtë ndeshje u shënuan nga Mikel Merino në minutën e 66-të dhe Tomas Belmonte në minutën e 87-të.

Në grupin e fundit, Brazili ka siguruar kalimin tutje pasi ka mposhtur Arabinë Saudite me rezultat 3-1.
Golat në këtë ndeshje i shënuar: Matheus Cunha në minutën e 14-të, Abdeulelah Al-Amiri në minutën e 27-të dhe Richarlison në minutën e 76-të dhe 90-të.

Nga ana tjetër ndeshja mes Bregut të Fildisht dhe Gjermanisë përfundoi me rezultat 1-1, duke mos arritur kështu që gjermanët të kalojnë as grupet, kurse ekipi afrikan kalon tutje përmes vendit të dytë./Shqip.com
