Lloga: ASH do të dalë e vetme në zgjedhjet e 8 majit – VMRO është rrezik i madh për shqiptarët, ta ndalojmë!
Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës për Shqiptarët, Krenar Lloga insiston se forca politike që ai përfaqëson duhet të dalë e vetme në zgjedhjet parlamentare të 8 majit në Maqedoninë e Veriut.
Njëherazi ministër i Drejtësisë në RMV, Lloga thotë se po bëhen përpjekje për të mos përçarë Aleancën dhe votën e shqiptarëve në tërësi.
Ai kujton se pas zgjedhjeve parlamentare vijnë ato vendore dhe shqiptarët kanë shanse reale për të fituar dy komuna si kurrë më parë nëse përçarja e votave shmanget, atë të Butelit dhe Çashkën, por njëkohësisht nuk duhet të rrezikohen komunat e tjera shqiptare aktualisht si Struga, Kërçova e Dollmeni.
“Unë kam qenë njëri prej atyre që kam thënë se interesi i parë duhet të jemtë ai kombëtar dhe i dytë ai partiak. Ne do të duhet t’oi bëjmë ballë asaj që na vjen pas 6 muajsh, kur të jenë zgjedhjet lokale. Ne kemi një komunë shqiptare që e kemi humbur, komunën e Bërvenicës, kur pas 12 vitesh drejtimi nga shqiptarët, sot qeveris një maqedonas. Kemi komunën e Strugës, Kërçovës dhe Dollmenit ku rrezikohemi. Por për herë të parë kemi gjasa reale për të fituar komunën e Butelit e cila është në zemër të Shkupit dhe komunën e Çashkës e cila është komuna e dytë me territorin më të madh dhe është në Maqedoninë Qendrore“, u shpreh Lloga.
Si shqetësim të madh për shqiptarët, Lloga identifikon partinë opozitare maqedonase, VMRO-DPMNE dhe dy forca të tjera nacionaliste, të cilat njihen për ideologjinë e tyre antishqiptare.
“Thirrjet e mia kanë qenë që ne duhet të përgatitemi në këto zgjedhje lokale si faktor politik shqiptar, por duhet të përgatitemi edhe për rrezikun e madh, ai rrezik është VMRO-DPMNE e cila vjen fuqishëm për shkak të rritjes së nacionalizimit te maqedonasit. Por të mos harrojmë, kemi edhe dy parti ultranacionaliste si Levica me bindje dhe pikëpamje pro-ruse e anti-NATO, anti-perëndimore dhe partinë e Maksim Dimitrevskit e cila është një format pak më i butë, por është e njëjta gjë”, tha ai.
Numri dy i ASH sqaron edhe akuzat që po i bëhen Aleancës për Shqiptarët se po ndihmon BDI-në e Ali Ahmetit.
“Unë kam qenë i idesë që në analizat që do të bëjmë të përcaktohemi nga kjo. Por fakti që një pjesë e aktivistëve kanë menduar që kjo do të na çojë drejt BDI-së dhe do na shkaktojë përccarje ka bërë që ne të gjithë të reflektojmë dhe të shkojmë të vetëm në zgjedhje. Dhe bindja ime përfundimtare është që Aleanca për Shqiptarët duhet të shkojë e vetme në zgjedhje për të përgënjeshtruar të gjitha këto zëra dhe këtë fushatë të pisët që është bërë brenda partisë se në të Aleancës po e bëjmë këtë gjë që të ndihmojmë BDI-në. Kjo nuk është e vërtetë. Si opison është e përjashtuar nga të gjithë ne. Dhe ajo që të gjithë jemi të zotuar është të ndalim hovin e VMRO-së dhe ndërprerjes së rrugës perëndimore të Maqedonisë. Një Aleancë e fortë do të thotë që timoni i këtij vendi është në duar të sigurta dhe besoj kjo do të ligjërohet ditën e shtunë në orën 13.00 në Shkup, në Kuvendin e Aleancës për Shqiptarët”, deklaroi ndër të tjera Lloga.
/Shqip.com