Sport Shqiptar

Llapi u mposht nga Ballkani, Batatina i kënaqur me skuadrën e tij

Tahir Batatina

Llapi ka pësuar humbje nga Ballkani me rezultat 0:1 në ndeshjen për Superkupën e Kosovës, ndërsa trajneri Tahir Batatina tha se luajtën dy skuadra që kanë kualitet dhe cilësi të mirë në radhët e tyre.

Batatina ishte fitues i Superkupës së Kosovës me Llapin në edicionin e fundit, por u mposht nga Ballkani të shtunën në Turqi.

“Të dyja skuadrat kanë lojtarë që mund t’i zgjidhin problemet brenda fushës. Llapi pavarësisht që luajti ndaj kampionit, tregoi se di të bëjë lojë të mirë. Treguam karakter, treguam lojë, treguam se Llapi ka skuadër të fuqishme për stinorin pranveror. Do të luftojmë për vendin që dërgon në garat evropiane, për trofe. Nuk i lejuam hapësira Ballkanit. Shënuan nga ndërprerja. Ishte apo nuk ishte penallti në fund, ajo pjesë nuk më takon mua. Sido që të jetë, djemtë dhanë maksimumin. Ia uroj fitoren Ballkanit. Shpresoj të jemi në treshen e parë të Superligës”, është shprehur Batatina.

/Shqip.com