Lajme

Lladrovci për dorëheqjen e Hoxhës: Nuk i bën mirë as degës e as garës elektorale të PDK-së

Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci
Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci

Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka reaguar pas dorëheqjes së kryetarit të degës së Partisë Demokratike të Kosovës në këtë komunë, Sejdi Hoxha, njofton Shqip.com.

Lladrovci përmes një postimi në Facebook, ka thënë që dorëheqja nuk i bën mirë as degës e as elektoratit.

“Dorëheqja e Hoxha nga kreu i degës së PDK-së në Drenas, nuk është lajm i mirë. Aq më pak, në kohën kur bëhet i ditur akti moral i tij”, ka thënë Lladrovci.

Ai më tej thotë se niveli qendror dhe lokal i PDK-së është duke u përgatitur për zgjedhjet lokale dhe kjo dorëheqje nuk i bën mirë as degës, as elektoratit e as garës elektorale.

“Dorëheqjen e z.Hoxha e shoh me keqardhje edhe si kandidat i PDK-së për mandatin e dytë në krye të Drenasit. Organizimi i strukturave lokale të PDK-së në Drenas ka qenë çdo herë i suksesshëm dhe e kemi dëshmuar me fitoren e përhershme, nga zgjedhjet e para e deri më sot. Këtë e ka dëshmuar edhe z. Hoxha gjatë mandatit të tij. Gjithsesi, Hoxha i uroj sukses në punë dhe vazhdimin e aktivitetit politik, në adresën e vetme dhe të sigurt për mirëqenien e qytetarëve të Drenasit, PDK-në”, ka shkruar ai.

Sejdi Hoxha ka dhënë dorëheqje nga pozita e kryetarit të degës së PDK-së në Drenas.

Hoxha në arsyetimin e tij në Facebook ka thënë se PDK-ja në qendër ka injoruar dhe neglizhuar situatën e krijuar në Drenas, duke mos e trajtuar me seriozitet atë.

Dega e PDK-së në Drenas kishte emëruar Driton Ajazin si kandidat për kryetar të Drenasit në zgjedhjet lokale të 17 tetorit, por nga niveli qendror i PDK-së është kundërshtuar kjo, duke thënë se Ramiz Lladrovci do të jetë kandidat. /Shqip.com