Lajme

Lladrovci-Kurtit: Po të kishte shtet, ju do të duhej të intervistoheshit nga Prokurori i Shtetit

Ramiz Lladroci-kryetari i Drenasit

Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka reaguar ndaj deklaratës së kryeministrit Albin Kurti, i cili ka thënë se “krimi ka zbritur në nivelin komunal”.

Lladrovci ka shkruar se Kurti ka një qëndrim tepër zhgënjyes për një kryeministër që sipas Lladrovcit, nuk e bën dallimin e liderit të një partie dhe kryeministrit të vendit.

“Me keqardhje e lexova në portale se ju keni deklaruar sikur “krimi ka zbritur në nivel lokal”. Qëndrim tepër zhgënjyes për një kryeministër që nuk bën dallimin e liderit të një partie dhe kryeministrit të vendit për të gjithë qytetarët dhe pushtetin lokal”, ka shkruar Lladrovci në Facebook.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Kryetari i Drenasit, ndër tjerash ka shtuar se për deklaratën e dhënë nga Kurti, kryeministri do të duhej të intervistohej nga Prokurori i Shtetit.

“Po të kishte shtet ligjor dhe të së drejtës, Ju do të duhej sot të intervistoheshit nga Prokurori i Shtetit për “krimin në pushtetin lokal”, sepse në shtet ligjor, deklaratave të tilla do të duhej t’i bashkëngjitni fakte”.

“Gjetja e armiqve të rinj të Qeverisë që ju drejtoni, është shmangie nga zgjidhja e problemeve reale të pushtetit qendror. Kjo metodë e ikjes nga përgjegjësia është e njohur, por, nuk është rruga që zgjidh çështjet jetike të qytetarëve”, ka shkruar Lladrovci./Shqip.com