Zyrtarët Ukrainas: Përpjekjet e shpëtimit janë duke u zhvilluar, por gjasat për të gjetur të mbijetuar janë shumë të vogla

Forcat ruse kanë bombarduar një shkollë në Luhansk ku ishin strehuar 90 persona.

Një zyrtar i lartë në rajonin e Luhanskut, Serhiy Hayday, ka thënë se shanset për të gjetur dikë ende gjallë brenda shkollës janë “shumë të vogla”, shkruan CNN.

Kreu i administratës ushtarake rajonale të Luhansk, tha se ndërtesa e shkollës ishte shkatërruar plotësisht.

“Shpërthimi ndodhi brenda ndërtesës. Ekipet e shpëtimit [po] çmontojnë mbeturinat sa më shpejt që të jetë e mundur. Shanset për të gjetur [ndokënd ende] gjallë janë shumë të vogla. Kishte 90 njerëz brenda ndërtesës së shkollës; 27 mbijetuan, 60 njerëz me shumë gjasa vdiqën”, shtoi ai.

Trupat e dy personave u gjetën në mbeturina, tha Hayday në një postim në Telegram të dielën.

Një avion rus hodhi një bombë në shkollën në fshatin Bilohorivka, e cila është rreth shtatë milje nga vija e frontit, sipas Hayday.

Hayday shtoi se luftimet e ashpra gjatë natës kishin ndërprerë operacionin e shpëtimit.

Ai tha se luftimet kishin vazhduar deri të dielën në disa fronte në Luhansk — duke përfshirë Bilohorivka, Voyevodivka dhe Rubizhne. Ai tha gjithashtu se kishte një situatë jashtëzakonisht të vështirë rreth Hirske.

Pranë Popasna, artileria ruse goditi shtëpinë ku ishin fshehur 11 persona në bodrum, tha ai. Ekipet e shpëtimit po çmontonin mbeturinat.

Sulmi goditi rreth orës 16:37 me kohën lokale të së shtunës./Shqip.com