Zyrtarët amerikanë do të vizitojnë Kievin

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken dhe sekretari i Mbrojtjes, Lloyd Austin, do të vizitojnë Kievin të dielën për të diskutuar thirrjen e Ukrainës për armë më të fuqishme, dy muaj pas fillimit të pushtimit rus.

Vizita, e njoftuar nga presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskiy, të shtunën, do të ishte e nivelit më të lartë nga zyrtarët amerikanë që kur tanket ruse u futën në Ukrainë më 24 shkurt, shkruan BBC.

Shtëpia e Bardhë nuk ka konfirmuar ndonjë vizitë nga Blinken dhe Austin. Departamenti i Shtetit dhe Pentagoni nuk pranuan të komentojnë.

Deri më tani disa politikan e kanë vizituar Ukrainën që nga fillimi i luftës, duke përfshirë Kryeministrin e Britanisë së Madhe, Boris Johnson dhe Presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen./Shqip.com