Zyrtare: FIFA dhe UEFA përjashtojnë klubet dhe kombëtaret ruse nga të gjitha garat

UEFA

Të gjitha klubet dhe ekipet kombëtare ruse janë suspenduar nga pjesëmarrja në garat e FIFA-s dhe UEFA-s deri në një njoftim tjetër, njofton UEFA.

“Pas vendimeve fillestare të miratuara nga Këshilli i FIFA-s dhe Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s, të cilat parashikonin miratimin e masave shtesë, FIFA dhe UEFA kanë vendosur sot së bashku që të gjitha ekipet ruse, qofshin ato kombëtare përfaqësuese apo ekipet e klubeve, do të pezullohen nga pjesëmarrja në garat e të dyjave, FIFA-s dhe UEFA-s, deri në një njoftim tjetër”, thuhet në njoftim.

Këto vendime janë miratuar sot nga Byroja e Këshillit të FIFA-s dhe Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s, përkatësisht organet më të larta vendimmarrëse të të dy institucioneve për çështje të tilla urgjente.

“Futbolli është plotësisht i bashkuar këtu dhe në solidaritet të plotë me të gjithë njerëzit e prekur në Ukrainë. Të dy presidentët shpresojnë se situata në Ukrainë do të përmirësohet ndjeshëm dhe me shpejtësi, në mënyrë që futbolli të jetë sërish një vektor për unitet dhe paqe mes njerëzve”, ka shkruar tutje UEFA.

Rusia përveç sanksioneve nga shtetet perëndimore dhe shtetet anëtare të NATO-s, në sferat të tjera është përjashtuar edhe nga Eurovizioni.