Zyra e Kryeministrit jep detaje për takimin Kurti-Escobar

Situata në veri të vendit dhe barrikadat e vendosura në atë pjesë të vendit ishin temat kryesore të takimit midis kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe të dërguarit të SHBA-ve, Gabriel Escobar.

“U diskutua për situatën aktuale dhe zhvillimet e fundit, veçanërisht në pjesën veriore të Republikë së Kosovës. U theksua se barrikadat në rrugë duhet të largohen menjëherë”, thuhet në njoftim.

Po ashtu është bërë e ditur se në takim gjithashtu u diskutua për raportet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, procesin e dialogut dhe për rrugën përpara drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.

Pas takimit të zhvilluar me presidenten, Vjosa Osmani dhe kryeministrin e Kosovës Albin Kurti, ai është shprehur se kjo vizitë është e rregullt.

“Nuk kam ndonjë koment. Jam pjesë e një angazhimi rutinor tashmë këtu. Jemi partnerë të mirë dhe është bukur që të qëndrojmë në komunikim të vazhdueshëm. Do të kem më shumë të them pak më vonë pasi do të kemi edhe disa takime, pastaj do të dikutojmë” ka thënë Escobar.

Nga ana tjetër, Presidenca përmes një njoftimi ka thënë se Osmani ka biseduar me Escobarin për ngjarjet e fundit në veri të Kosovës dhe ka shprehur nevojën për heqjen e menjëhershme të barrikadave.

Në takimet e Escobarit me Osmanin e Kurtin mori pjesë edhe ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier.