Zonja e Parë e Ukrainës flet për tmerret e luftës

Zonja e Parë e Ukrainës, Olena Zelensky

Zonja e Parë e Ukrainës, Olena Zelenska ka lëshuar deklaratën e saj të parë publike që nga fillimi i luftës.

Ajo ka shkruar një letër drejtuar komunitetit global, ka shkruar BBC.

Në të, ajo ka folur për tmerret e luftës, veçanërisht për gratë dhe fëmijët. Ajo përmendi edhe disa fëmijë që janë vrarë gjatë kësaj lufte.

“Alisa tetëvjeçare, e cila vdiq në rrugët e Okhtyrka, ndërsa gjyshi i saj u përpoq ta mbronte. Polina nga Kievi, e cila vdiq gjatë bombardimeve me prindërit e saj. 14-vjeçari Arseniy u godit në kokë nga rrënojat, dhe nuk mundi të shpëtohej, sepse një ambulancë nuk mundi të shkonte tek ai në kohë për shkak të zjarreve intensive. Kur Rusia thotë se “nuk po bën luftë kundër civilëve”, unë fillimisht thërras emrat e këtyre fëmijëve të vrarë”, ka shkruar ajo.

Ajo falënderoi mbështetjen e komunitetit ndërkombëtar dhe vendeve fqinje që kanë pranuar refugjatët.

Por Zelenska përsëriti gjithashtu thirrjet e bashkëshortit të saj, Presidentit Zelensky, për vendet perëndimore që të shpallin një zonë ndalim-fluturimi mbi Ukrainën.

“Ne kemi nevojë për ata që janë në pushtet për të mbyllur qiellin. Mbyllni qiellin dhe ne vetë do ta menaxhojmë luftën në terren. Me këtë letër, unë dëshmoj dhe i them botës: lufta në Ukrainë nuk është një luftë ‘diku atje’. Kjo është një luftë në Evropë, afër kufijve të BE-së. Nëse nuk e ndalojmë Putinin, i cili kërcënon të nisë një luftë bërthamore, nuk do të ketë vend të sigurt në botë për asnjë prej nesh”.

NATO nuk ka marrë një vendim të tillë sepse do të përfshinte forcat perëndimore dhe rrezikonte shpërthimin e luftës bë mbarë Evropën./Shqip.com