Zelenskyy i kërkon BE-së të vendosë sanksione ndaj të gjitha bankave dhe naftës ruse

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy, u ka kërkuar liderëve evropianë që të vendosin sanksione ndaj të gjitha bankave dhe naftës ruse.

“Ne nuk mund të presim”, ka shtuar Zelensky.

Në një fjalim në parlamentin e Lituanisë, lideri ukrainas bëri thirrje për sanksione ndaj të gjitha bankave ruse, duke i kërkuar Evropës që të “heqë qafe naftën e tyre”.

“Ata e dinë se do të mbeten të pandëshkuar pasi Evropa ende preferon bashkëpunimin e vazhdueshëm, tregtinë, biznesin si zakonisht”, shtoi ai, shkruan Sky News.

Tutje Zelensky, tha se Ukraina ka nevojë për vendime të fuqishme dhe BE-ja duhet t’i marrë ato tani. Ata duhet të sanksionojnë naftën dhe të gjitha bankat ruse.

“Çdo shtet i BE-së duhet të vendosë kushte se kur do të refuzojë ose kufizojë burimet (ruse) të energjisë si gazi.”

“Vetëm atëherë qeveria ruse do të kuptojë se duhet të kërkojë paqen, se lufta po kthehet në një katastrofë për ta”, tha Zelensky.

Javën e kaluar, BE miratoi një raund të pestë të sanksioneve ndaj Rusisë, i cili përfshinte fundin e importeve ruse të qymyrit, mes akuzave për krime lufte që po kryheshin nga forcat ruse.