Zelensky u kërkon kryebashkiakëve amerikanë të ndërpresin lidhjet me qytetet ruse

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky u kërkoi kryebashkiakëve amerikanë të ndërpresin lidhjet “vëllazërore” me qytetet ruse.

Ai kërkoi që të marrin pjesë në “projektin më të madh ekonomik të kohës duke ndihmuar në rindërtimin e Ukrainës pas luftës, shkruan CNN.

“Dhjetëra qytete amerikane ruajnë të ashtuquajturën “vëllazëri” me qytetet e Federatës Ruse”, tha Zelensky, duke përfshirë Çikagon dhe Moskën.

“Çfarë ju japin këto lidhje? Ndoshta asgjë. Por ata i japin Rusisë mundësinë të thotë se nuk është e izoluar, edhe pas fillimit të një lufte të tillë”, vazhdoi ai.

Tutje, Zelensky bëri thirrje për më shumë presion ndaj Rusisë.

“Mos e ndihmoni të justifikojë veten. Mos mbani lidhje me të. Dhe ju lutemi mos lejoni që ata që janë bërë vrasës t’ju quajnë vëllezër dhe motra të tyre”, tha Zelensky.

Sipas Zelenskyt, që nga fillimi i luftës, 3,620 vendbanime janë përballur me pushtimin rus dhe Rusia ka synuar pothuajse 2,500 raketa në Ukrainë.

Ai u kërkoi kryetarëve të bashkive të marrin pjesë në përpjekjet e mëdha të rindërtimit që do të nevojiten pas luftës.