Zelensky: Rusia s’ka interesim për të përfunduar luftën

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha se sulmet ruse me raketa, që goditën të martën disa qytete të Ukrainës, tregojnë se Moska “nuk ka interesim për të përfunduar luftën”.

Zelensky tha se ushtria ruse lëshoi 90 raketa, duke dëmtuar infrastrukturën e energjisë, si dhe bizneset dhe ndërtesat e banimit.

“Kjo është përgjigjja e Rusisë ndaj Indonezisë, Indisë, Kinës dhe të gjitha vendeve të tjera, që kanë folur për nevojën për t’i dhënë fund luftës. Rusia po i thotë botës se dëshiron të vazhdojë. Tani është koha që bota të përgjigjet”, tha Zelensky përmes një video-adresimi, raporton Radio Evropa e Lirë.

NATO do të mbajë një takim urgjent me kërkesë të Polonisë, e cila thirri Nenin 4 të traktatit të NATO-s, pasi dy persona vdiqën në një shpërthim në Przewodoë, një fshat në lindje të Polonisë,  pranë kufirit me Ukrainën.

Një zyrtar i lartë i inteligjencës amerikane, tha se në lindje të Polonisë kanë rënë dy raketa ruse, ndërsa Pentagoni bëri të ditur se nuk ka informacione për të konfirmuar nëse ishin raketa ruse.Neni 4 i traktatit të NATO-s, mbulon skenarin në të cilin një shtet anëtar ndihet i kërcënuar nga një vend tjetër ose një organizatë terroriste.

Joe Biden ka thënë se raketa që ra në Poloni, duke vrarë dy persona, nuk kishte gjasa të ishte lëshuar nga Rusia për shkak të trajektores së saj.

Përmes një deklarate të përbashkët, të gjithë liderët botërorë kanë dënuar sulmet nga raketat ruse në drejtim të infrastrukturës civile të Ukrainës.

Presidenti i Turqisë Rexhep Tajip Erdogan tha se ai respekton mohimin e përfshirjes së Rusisë në një shpërthim vdekjeprurës në Poloni, por shtoi se incidenti duhet të hetohet.

Ish-presidenti rus Dmitry Medvedev tha se rënia e një rakete brenda kufirit të Polonisë tregon se Perëndimi po i afrohet një lufte botërore.