Zelensky: Mijëra njerëz të bllokuar në Mariupol

Luftimet po vazhdojnë në disa fronte në Ukrianë, duke përfshirë edhe qytetin e Mariupolit

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha të enjten se “mijëra” civilë mbeten të bllokuar brenda Mariupolit , pasi ai e krahasoi rrethimin rus me një “operacion terrorist”, shkruan CNN.

Komandantët ukrainas në terren kanë thënë se forcat ruse nuk i kanë respektuar marrëveshjet për të hapur korridoret e evakuimit apo për të zbatuar armëpushimet dhe kanë vazhduar të bombardojnë qytetin.

Pas përpjekjeve të shumta të dështuara për të krijuar korridore të sigurta jashtë Mariupolit, katër autobusë evakuimi arritën të largoheshin nga qyteti të mërkurën.

Në një intervistë për kanalin televiziv francez BFMTV, Zelensky tha:

“Sa i përket ushtrisë sonë, forcat e Federatës Ruse nuk na lejojnë të kalojmë nëpër këto 120 kilometra të pushtuara në mënyrë që të arrijmë sot zhbllokimin ushtarak të Mariupolit. Është e vërtetë. Nuk mund ta bëjmë sot. Ne negociojmë dhe hapim korridoret humanitare dhe disa njerëz po largohen. Por ato mijëra që ju thashë janë të bllokuara atje dhe Rusia deri më tani nuk po i lejon këta njerëz të dalin nga robëria”.

Presidenti rus, Vladimir Putin, shpalli të enjten përpjekjet e forcave ruse për të kapur qytetin e rrethuar ukrainas të Mariupolit një “sukses”, por urdhëroi forcat ruse të ndalojnë përpjekjet për të sulmuar fabrikën e rrethuar të çelikut, Azovstal, e cila ende mbahet nga forcat ukrainase.

Mariupol është shkatërruar pothuajse plotësisht nga bombardimet ruse me javë të tëra dhe dhjetëra mijëra civilë ende presin evakuimin, sipas zyrtarëve ukrainas./Shqip.com