Zelensky i kërkon Shqipërisë t’i kufizojë turistët rusë

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky i ka bërë thirrje Shqipërisë që të kufizojë ardhjen e turistëve rusë.

Sipas Zelenskyt, ardhja e turistëve rusë mund të përbëjë rrezik për Shqipërinë.

“Kërkoj t’i kufizoni ardhjet e turistëve rusë, sepse nuk mund ta dimë se kush vjen te ju..ndoshta vrasësit që kanë qenë në Buça apo xhelatët e Mariupolit”, tha Zelensky, duke iu referuar dy qyteteve të Ukrainës, ku forcat ruse dyshohet se kanë kryer krime të rënda.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky ka mbajtur një fjalim në Kuvendin e Shqipërisë përmes video-lidhjes.

Zelensky falënderoi Shqipërinë që nuk ka hezituar të rreshtohet krah Ukrainës.

Ai ka thënë se ky qëndrim i Shqipërisë ndaj popullit të Ukrainës e bën ta kujtojë Nënën Terezë.

“Jam mirënjohës që nuk hezitoni të mbështesni askënd, nuk mendoni kë do të mbështesni jeni në anën e lirisë. Faleminderit për mbrojtjen e hapur. Ky qëndrim i juaj, më bën të kujtoj Shën Terezën. Ajo mësoi njerëzit se përpjekjet e mira të përditshme mund të mposhtin të keqen. Besoj se duke punuar së bashku me gjithë europianët, ne do jemi në gjendje ta ndalojmë këtë luftë”, ka thënë ai.

Zelensky po i drejtohet Shqipërisë në vazhdën e adresimeve që ai ka bërë – nga fillimi i luftës, nëpër parlamente të vendeve evropiane dhe vendeve tjera aleate, të cilat e kanë përkrahur vendin e tij në përballjen me pushtimin rus, të nisur më 24 shkurt.

Shqipëria është rreshtuar me Bashkimin Evropian dhe NATO-n, në mbështetjen e Ukrainës, duke bashkëvepruar me aleatët në vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë dhe duke kontribuar në koordinimin politik në NATO dhe Këshillin e Sigurimit të OKB-së për ta dënuar pushtimin rus.