Xhaçka: Largimi nga institucionet e Kosovës është akt përshkallëzimi

Ministrja e Jashtme e Shqipërisë, Olta Xhaçka

Ministrja e Jashtme e Shqipërisë, Olta Xhaçka

Ministrja e Ministrisë së Evropës dhe Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Olta Xhaçka ka folur lidhur me situatën e krijuar në veri të Kosovës.

Përmes një postimi në Twitter, Xhaçka ka thënë se lenja e institucioneve të Kosovës është një akt përshkallëzimi në një kohë kur nevojitet një bashkëpunim dhe dialog konstruktiv.

“E shqetësuar nga zhvillimet në Veri të Kosovës. Lënia e institucioneve të Kosovës është një akt përshkallëzimi në një kohë kur nevojitet bashkëpunim dhe dialog konstruktiv. Ky nuk është momenti për të lënë dhe bojkotuar. Ky është një moment kur dialogu është i nevojshëm më shumë se kurrë.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës patën kërkuar nga Kosova shtyrje të afatit për targa, por kjo kërkesë nuk u mor parasysh.

Të njëjtën linjë me SHBA-në qëndron edhe Bashkimi Evropian. Ata e quajnë legjitim vendimin për targa, por thonë se kjo duhet të  bëhej brenda një periudhe kohore prej 12 muajsh.

Kjo situatë ka ndikuar edhe në gjendjen në veri të Kosovës. Qeveria ka pezulluar drejtorin e Policisë Rajonale në Veri, Nenad Gjuriq, për shkak se nuk e zbatonte vendimin për qortim ndaj qytetarëve serb.

Në shenjë proteste, Lista Serbe ka kërkuar që të gjithë serbët të bojkotojnë institucionet e Kosovës. Pjesëtarët e Policisë së Kosovës kanë zhveshur dje uniformat e tyre.

Nga detyra e ministrit të Kosovës ka dhënë dorëheqje edhe Goran Rakiq, ndërsa gjatë ditës së sotme, kësaj iu janë bashkuar edhe katër kryetarët e komunave me shumicë serbe në veri.

Sot gjatë ditës është mbajtur edhe një protestë në veri, nga e cila u kërkua formimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.