Vritet edhe një gazetar gjatë raportimit në Ukrainë

Një gazetar francez është qëlluar dhe vrarë në Ukrainë, gjatë raportimit për ngjarjet e fundit.

Lajmin e ka bërë të ditur presidenti francez Emmanuel Macron, në rrjetin social Twitter.

Ai tha se gazetari, Frederic Leclerc-Imhoff ishte në Ukrainë për të treguar për realitetin e luftës.

Tutje, ai tha se në bordin e një autobusi humanitar, së bashku me civilët e detyruar të iknin për t’i shpëtuar bombave ruse, ai u qëllua për vdekje.

“Unë ndaj dhimbjen e familjes, miqve dhe kolegëve të Frederic Leclerc-Imhoff, të cilëve u shpreh ngushëllimet e mia. Për ata që kryejnë misionin e vështirë të dhënies së informacionit në teatrot e operacionit, dua të ritheksoj mbështetjen e pakushtëzuar të Francës”, shkroi Macron.

Gazetari ishte 38 vjeç, dhe kishte punuar për BFM për gjashtë vjet.

Kujtojmë që lufta në Ukrainë ndodhet në ditën e 96-të, e bombardimet ruse vazhdojnë ende.