Vogel: Marrëveshja për targat është e përkohshme

Bashkëpunëtori i Këshillit për Politika e Demokratizimit nga Brukseli, Toby Vogel ka thënë se rëndësia e marrëveshjes për targat në mes Kosovës dhe Serbisë ndihmon në qetësimin e situatës aktuale.

Në një intervistë për REL, Vogel ka thënë se kjo është vetëm një marrëveshje e përkohshme në mënyrë që të përqendrohen palët në perspektivë të gjerë.

“Kjo është një marrëveshje e përkohshme. Kjo, thjesht, ndihmon tani në shmangien e një përshkallëzimi, por padyshim nuk është zgjidhje, sepse Kosova në fakt duhet të pezullojë zbatimin e të drejtave të saj sovrane në veri të Kosovës, që natyrisht në një kohë afatgjatë dhe afatmesëm është i papranueshëm për Prishtinën”, tha Vogel.

Vogel thotë se në negociatat për marrëveshjen finale mes Kosovës dhe Serbisë, roli i SHBA-së është “absolutisht vendimtar”.


“Kur gjërat bëhen vërtet të vështira, do të kërkohet ndoshta një ndërhyrje shumë e drejtpërdrejtë nga Uashingtoni. Dhe, ajo që më shqetëson është se qëllimi i fazës së re, fazës përfundimtare të negociatave, duket se është diçka më pak se njohja”, thotë Vogel.

Ai shton se faza e re e negociatave për të është edhe shqetësuese.

“Sepse propozimi i Francës dhe Gjermanisë […] është diçka që i mungon njohja e plotë dhe më duket e çuditshme që në fillim të një faze që supozohet të fokusohet në një marrëveshje përfundimtare, tashmë të vendoset standard më i ulët se sa mund të ishte”, thekson Vogel.

Dje, në Bruksel Kosova dhe Serbia arritën marrëveshje lidhur me targat ilegale në Kosovë.

Kosova është pajtuar të mos vazhdojë tutje me zbatimin e vendimit për riregjistrimin e automjeteve me targa ilegale serbe në RKS, të nisur nga 1 nëntori, kurse Serbia që të mos lëshojë targa të reja serbe.

BE-ja tha se dakordimi në Bruksel shmang përshkallëzimin e mëtejmë të situatës, si dhe kontribuon në përqendrimin te “propozimin për normalizimin e marrëdhënieve të tyre, siç u prezantua këtë shtator nga lehtësuesi i BE-së dhe i mbështetur nga Franca dhe Gjermania”.

Edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha të enjten se me këtë dakordim do t’i jepet hapësirë negocimit të “propozimit evropian, që më herët quhej franko-gjerman”.