Vela: Kryetarët e komunave me shumicë serbe tradhtuan qytetarët e tyre

Shefi i Stafit të Presidentes së Kosovës, Blerim Vela ka thënë se kryetarët e katër Komunave me shumicë serbe në Kosovë të cilët sot dhanë dorëheqje kanë tradhtuar qytetarët e tyre.

Përmes një postimi në Twitter, Vela tha se strukturat ilegale serbe në Kosovë kurrë nuk do të jenë përfaqësues legjitim të serbëve në Kosovë.

“Strukturat e paligjshme të Serbisë në Kosovë nuk janë dhe kurrë nuk do të jenë përfaqësues legjitim i serbeve të Kosovës, Vetëm zgjedhjet sipas Kushtetutës dhe ligjeve prodhojnë përfaqësim ligjorë dhe legjitim. Kryetarët e katër komunave të cilët dhanë dorëheqje, tradhtuan qytetarët e tyre”, shkroi Vela.

Kujtojmë se Qeveria e Kosovës ka pezulluar nga detyra drejtorin e Policisë Rajonale në Veri Nenad Gjuriq për shkak se nuk e zbatonte vendimin për qortim ndaj qytetarëve serb që vozisnin automjete me targa ilegale.

Në shenjë proteste, Lista Serbe ka kërkuar që të gjithë serbët të bojkotojnë institucionet e Kosovës. Pjesëtarët e Policisë së Kosovës kanë zhveshur dje uniformat e tyre.

Nga detyra e ministrit të Kosovës ka dhënë dorëheqje edhe Goran Rakiq, ndërsa gjatë ditës së sotme kësaj ju janë bashkuar edhe katër kryetarët e komunave me shumicë serbe.

Sot gjatë ditës është mbajtur edhe një protestë në veri, nga e cila u kërkua formimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.