Ushtari ukrainas: Rusët kanë menduar se ne nuk kemi njohuri se si luftohet

Volodymyr në të majtë me ushtarët e tij në Irpin

Çdo ditë trupat ruse ishin munduar që të avanconin nga qyteti i Irpinit në drejtim të Kievit.

Dhe çdo ditë ata ishin zmbrapsur duke lënë pas vetes tanke të djegura si dhe mjete tjera të  blinduara.

“Ne dalim dhe po i gjuajmë dhe po i shkatërrojmë ata. Sigurisht se ata nuk e kanë pritur këtë. Ata kanë menduar se ne nuk kemi njohuri sesi duhet të luftohet”, thotë Volodymuyr një ushtar ukrainas i cili është lider i njësisë speciale ukrainase, shkruan The Wall Street  Journal.

Ai është i armatosur me një snajper prodhim britanik poashtu posedon edhe një armë anti-tank ngase pret që ushtria ruse të sulmojë prapë.

Ushtarët ukrainas kanë arritur të kontrollojnë frontet e luftës që nga dita e parë kur një konvoj i ushtrisë ruse ishte futur në Ukrainë nga Bjellorusia.

“Ukraina është duke luftuar në atë mënyre që askush nuk e ka pritur këtu po flas për rusët por edhe për partnerët ndërkombëtar. Kievi ishte paraparë që të pushtohej brenda tre ditëve” thotë Mykhailo Podolyak, këshilltari i presidentit të Ukrainës si dhe anëtar i Kievit në bisedimet me Rusinë.

Në disa pjesë të Ukrainës janë dërguar njësitë speciale ukrainase të cilat ishin trajnuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe nga partnerët e tjerë.

Këto trajnime tani po shërbejnë për të mbrojtur kryeqytetin e Ukrainës.

Rusët janë duke pësuar humbje të mëdha në njerëz dhe teknikë falë dhuratave të cilat i kanë marrë nga SHBA-ja dhe Britania e Madhe ku përfshihen armët anti-tank si dhe raketat kundër ajror.

Kurse qyteti  Kiev po mbahet sepse trupat ruse po kanë vështirësi të adaptohen në taktikat e reja të luftimeve.

Ata po bombardohen nga dronët turq sa herë që po lëvizin në konvojet ushtarake.  

 “Ne jemi të shokuar se çfarë budallenj janë ata (rusët) dhe mënyrën sesi janë duke luftuar” thotë një ushtar ukrainas për armikun e tyre. 

Njësia e tij ka humbur vetëm dy ushtarë që nga fillimi i konfliktit ndërsa ata kanë vrarë rreth 60 rusë.

Ushtarët ukrainas tani janë fokusuar në goditjen e mjeteve ushtarake ruse të cilat bartin karburante.

“Nëse ne i ndërpresim furnizimet e tyre atëherë ata pa karburante nuk kanë mundësi që të lëvizin. Janë të pashpresë”, thotë një tjetër ushtar. / Shqip.com