Ukraina thotë se rusët po intensifikojnë sulmet në lindje, por po tërhiqen në veri

(AP Photo/Leo Correa)

Zyrtarët ukrainas kanë raportuar sulme me raketa dhe granatime në disa rajone, ndërsa forcat ruse fokusojnë përpjekjet e tyre në vijat e frontit në Luhansk.

Por ata pretendojnë suksese të mëtejshme në rajonin e Kharkiv, shkruan CNN.

Një sulm i rrallë raketor është raportuar në rajonin perëndimor të Lviv.

Serhiy Hayday, kreu i administratës ushtarake rajonale të Luhansk, tha herët të dielën se “rusët po mbledhin pajisje dhe fuqi punëtore më afër Severodonetsk dhe po përgatiten për ta sulmuar atë”.

Severodonetsk është një nga disa qytete industriale në lindje që ka parë bombardime të pamëshirshme për javë të tëra, ndërsa forcat ruse përpiqen të thyejnë mbrojtjen ukrainase.

Hayday tha se fabrika kimike e qytetit dhe ndërtesat e larta ishin goditur.

Ka shumë shkatërrime: 11 ndërtesa të larta në lagjet e reja dhe të vjetra të qytetit (u goditën), në disa prej tyre banesat morën flakë”.

Disa vendbanime në jug dhe në perëndim të Severodonetsk u goditën gjithashtu – duke përfshirë Vrubivka dhe Komyshuvakha – tha Hayday.

Forcat ruse pritet të përparojnë më në perëndim nëse mund të sigurojnë Severodonetsk, ku ende jetojnë 15,000 njerëz. Shumica e banorëve janë evakuuar./Shqip.com