Ukraina: Rusia mund ta vazhdojë luftën me ritmin aktual edhe për një vit

Rusisë po i mbarojnë raketat precize dhe do të jetë në gjendje të vazhdojë luftën me ritmin aktual vetëm për një vit, ka pohuar drejtoria e mbrojtjes e Ukrainës.

Drejtoria kryesore e inteligjencës e Ministrisë së Mbrojtjes të Ukrainës tha se Rusia po kryente shumë më pak sulme raketore dhe po përdorte raketa Kh-22, për të cilat tha se ishin “raketa të vjetra sovjetike të prodhuara në vitet 1970”, shkruan BBC.

“Kjo tregon se Rusisë po i mbarojnë raketat me precizion të lartë”, tha Vadym Skibitskyy nga drejtoria në një postim në Facebook.

Drejtoria tha se burimet ekonomike të Rusisë do t’i mundësonin asaj të vazhdojë luftën me ritmin aktual për një vit.

“Udhëheqja e Kremlinit mund të përpiqet të ngrijë luftën për ca kohë në mënyrë që të bindë Perëndimin të anulojë sanksionet dhe më pas të vazhdojë agresionin”, shtoi drejtoria.

“Qëllimi i tyre është e gjithë Ukraina dhe jo vetëm Ukraina”.

Gjatë ditës së sotme Ukraina ka folur edhe për kushtet humanitare në Mariupol, i cili është pushtuar nga Rusia.

Zyrtarët ukrainas thonë se kushtet humanitare atje po përkeqësohen dhe njerëzit janë në rrezik të sëmundjeve si kolera./Shqip.com