Ukraina kërkon garanci sigurie nga Rusia për evakuimin e Mariupolit

Ukraina nuk ka arritur asnjë marrëveshje me Rusinë për krijimin e një korridori humanitar për civilët nga qyteti jugor i Mariupolit, tha zëvendëskryeministrja Iryna Vereshschuk.

Rusia njoftoi se një armëpushim për fabrikën e çelikut Azovstal do të bëhej nga ora 14:00 me orën lokale (11:00 GMT), për të lejuar evakuimin e civilëve të strehuar brenda, shkruan BBC.

Vereshchuk i tha BBC-së, se kishte dëgjuar shumë herë se Ministria e Mbrojtjes e Rusisë do të thërriste një armëpushim dhe do të hapte një korridor humanitar.

Por, shtoi ajo, Rusia “kurrë nuk i mbajti angazhimet e saj dhe nuk e hapi korridorin”.

Ajo kërkoi garanci për sigurinë e civilëve.

Vereshchuk tha se Ukraina dëshiron që Moska t’i japë garanci të shkruara sigurie Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së António Guterres.

Ka pasur disa përpjekje të dështuara evakuimi nga Mariupol që kur Rusia intensifikoi presionin e saj ndaj ushtarëve dhe civilëve ukrainas që strehoheshin në uzinën Azovstal. /Shqip.com