Ukraina i “hedh në erë” Rusisë tanke, avionë e sisteme raketore në Donetsk

Ushtria e Ukrainës thotë se Rusia po “vazhdon ofensivën e saj” në lindje të vendit, por pretendon se trupat e saj kanë pasur disa suksese defanzive në 24 orët e fundit.

“Armiku i përqendroi përpjekjet e tij kryesore në Donetsk”, tha Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Ukrainës në një përditësim në Facebook këtë mëngjes, raporton BBC.

“Aviacioni armik goditi infrastrukturën civile dhe ushtarake në Zonën Operative Lindore dhe objektet industriale thellë në Ukrainë.”, u tha tutje.

Pamjet nga Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Ukrainës, Facebook

Zyrtarët shtuan se mortajat, artileria konvencionale dhe sistemet e raketave me shumë lëshime janë ende duke u përdorur për të synuar Donetskun.

Megjithatë, Shtabi i Përgjithshëm tha gjithashtu se trupat e tij kishin arritur të zmbrapsnin 11 sulme ruse nëpër Donetsk dhe Luhansk, duke goditur një avion rus “Su-25” dhe një raketë lundrimi në proces.

Pesë tanke ruse, një sistem raketor anti-ajror “Tor”, gjashtë sisteme artilerie dhe 12 pjesë të pajisjeve të blinduara u shkatërruan gjithashtu, thuhet në raport.

Përndryshe, javët e fundit kanë qenë më intensive në luftën e filluar në Ukrainë nga 24 shkurti i këtij viti, duke arritur në ditën e 83-të të saj. /Shqip.com