Ukraina ende kontrollon zonën industriale të Severodonetsk

Severodonetsk/Marrë nga CNN

Kryebashkiaku i Severodonetsk thotë se ukrainasit janë ende nën kontrollin e rrethit industrial të qytetit lindor, i cili është bërë një pikë qendrore për luftën.

Oleksandr Stryuk tha në një përditësim në Telegram, se mbrojtësit kontrollojnë atë zonë dhe perimetrin e saj – “që bën të mundur lidhjen me Lysychansk” – qytetin fqinj përtej lumit, shkruan BBC.

“Po bëhen përpjekje për të rikthyer armikun drejt qendrës së qytetit, është një situatë e përhershme me sukses të pjesshëm dhe tërheqje taktike në vende. Situata është e vështirë por e qëndrueshme”, thotë ai.

Stryuk thotë gjithashtu se qyteti nuk është shkëputur plotësisht.

“Fakti që urat janë hedhur në erë i ka bërë gjërat mjaft të komplikuara, por në të njëjtën kohë ka rrugë për t’u tërhequr, edhe nëse ato janë mjaft të rrezikshme. Nuk mund të thuash se qyteti është shkëputur plotësisht.”

Pas një muaji luftimesh dhe bombardimesh intensive, thuhet se shumica e qytetit tani është në duart e rusëve./Shqip.com