Trupat ukrainas që u vranë duke e mbrojtur Mariupolin iu kthehen familjarëve

Trupat e vdekur të një numri ushtarësh ukrainas të cilët u vranë duke e mbrojtur portin kyç juglindor të Mariupolit kanë mbërritur në Kiev.

Siç raporton BBC, familjët e ushtarëve thonë se kjo ishte pjesë e një shkëmbimi me Rusinë, në të cilën secila palë mori 160 trupa.

Për këtë Moska nuk ka komentuar.

Më tepër se 1,000 ushtarë ukrainas të kapur në Mariupol thuhet se janë transferuar në Rusi.

Ushtarët, të cilët mbaheshin në vende të kontrolluara nga forcat e mbështetura nga Rusia në Ukrainën lindore, u zhvendosën në Rusi për hetim, tha Itar-Tass, një agjenci shtetërore ruse e lajmeve.

I njëjti burim, tha se do të bëhen më shumë transferime të të burgosurve.

Nuk ka pasur konfirmim nga pala ukrainase, por më parë presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky tha se mendonte se më shumë se 2,500 mbrojtës azovstalë – të cilët përfshijnë edhe rojet kufitare, policinë dhe mbrojtjen territoriale po mbaheshin nga Rusia.

Kievi thotë se mbrojtësve të fundit të Mariupolit iu dha urdhër të shpëtonin jetët e tyre pasi kompletuan me sukses qëllimin e tyre kryesor për të mbajtur trupat ruse dhe për të mos lejuar që ato të rishpërndaheshin në fusha të tjera kyçe beteje.

Kurse, Moska thotë se mbrojtësit ukrainas u detyruan të dorëzohen.

Mariupoli u pushtua nga Rusia në maj pas një rrethimi disa mujor dhe bombardimeve të rënda që praktikisht e shuan qytetin.

Zyrtarët ukrainas vlerësojnë se dhjetëra mijëra njerëz, përfshirë fëmijë, mund të jenë vrarë.

Ata kanë paralajmëruar gjithashtu për një shpërthim të mundshëm të kolerës në qytet, ku shumë trupa besohet ende të jenë varrosur nën rrënoja.

Njoftohet se edhe ujërat e zeza kanë ndotur zinxhirët kryesorë të furnizimit me ujë.

Pas Mariupolit, forcat ruse e kthyen vëmendjen nga Severodonetsku – dhe qyteti binjak i Lysychansk. Pushtimi e tyre do t’u jepte rusëve kontrollin e rajonit Luhansk – i cili, së bashku me Donetskun, përbën Donbasin më të gjerë./Shqip.com