Torres: SHBA të marrin rol më të madh në bisedimet Kosovës – Serbi

Ligjvënësi amerikan, Ritchie Torres, tha të hënën në Prishtinë se është koha që Shtetet e Bashkuara të Amerikës të marrin rol më të madh në bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Këto komente ai i bëri gjatë një interviste për Zërin e Amerikës.

“Shpresoj që mund t’i afrohemi më shumë normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës e Serbisë. E mbështes idenë që Shtetet e Bashkuara të luajnë një rol më qendror në bisedimet ndërmjet të dyja palëve sepse mendoj që pa një rol të tillë të Shteteve të Bashkuara bisedimet kanë ngecur, kështu që është koha për Shtetet e Bashkuara të marrin një rol më të madh në këtë proces”, tha ai

Zoti Torres tha se tensionet që pasuan mospajtimet për çështjen e targave të makinave, janë dëshmi e nevojës për përmbyllje të këtij procesi.

“Nuk më takon mua të them se si dhe kur Kosova duhet të zbatojë ligjet e veta sa u përket targave të makinave. Por, tensionet që e kanë përcjellë këtë çështje janë dëshmi e nevojës për të përmbyllur normalizimin e marrëdhënieve, për të përmbyllur procesin e paqes, në mënyrë që të mund ta integrojmë Kosovën në Bashkimin Evropian dhe në NATO”, tha ai.

Sot në Bruksel, Kosova dhe Serbia nuk arritën të nënshkruajnë marrëveshje për çëështjen e targave.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është deklaruar për media pas takimit me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq.