Tetë fshatra të Skenderajt vërshohen nga uji

Sipas raportimeve nga terreni, shumë dëme ka shkaktuar dalja nga shtrati të lumit “Klina” në Skenderaj. Shumë familje janë bllokuar në banesat kolektive.

Ekipet e komunës kanë dalë në terren. Amir Lushtaku, shef i Zyrës për Informim ë komunën e Skenderajt, deklaroi se situata pas vërshimeve në këtë komunë, është e rënduar, pasi reshjet e filluara nga dita e djeshme, nuk kanë pushuar për rreth 30 orë.

Tutje, ai tha se në disa fshatra situata është shumë e rënduar. Lushtaku deklaroi se kryetari i komunës, Fadil Nura, përveç që ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme, ka krijuar edhe Shtabin Emergjent.

Lushtaku u shpreh se që nga fshati Klinë e Epërme, pastaj Klinë e Mesme e Klinë e Poshtme, pastaj në qytet, si dhe në Llaushë, Tushilë, Kopiliq, Kllodernicë e deri në Açarevë, lumi ka dalë nga shtrati duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale.

“Shpresojmë të mos ketë viktima”, tha Lushtaku. Ai deklaroi se gjatë tërë ditës, janë bërë evakuime të familjeve të ndryshme.
“Situata është nën kontroll dhe familjet do të evakuohen dhe besoj se do ta menaxhojmë mirë këtë fatkeqësi natyrore”, ka thënë mes tjerash ai.