Të paktën një person humbi jetën dhe disa të tjerë u plagosën në shpërthimet në Kiev

(Metin Aktas/Anadolu Agency/Getty Images)

Pas bombardimeve në qytetin e Kievit nga forcat ruse, të paktën një person u vra dhe disa të tjerë u plagosën në kryeqytet.

Kryebashkiaku i qytetit, Vitali Klitschko, e ka konfirmuar një gjë të tillë, shkruan CNN.

“Si rezultat i sulmit me raketë në mëngjes, një person mbeti i vrarë dhe disa të plagosur u shtruan në spital në lagjen Darnytskyi të kryeqytetit”, tha ai në një deklaratë televizive.

“Forcat tona të mbrojtjes ajrore po bëjnë gjithçka që është e mundur për të na mbrojtur, por armiku është tinëzar dhe i pamëshirshëm”, shtoi ai.

Klitschko më herët u bëri thirrje banorëve që janë evakuuar nga Kievi që të përmbahen nga kthimi, pas disa shpërthimeve në periferi të kryeqytetit.

“Nuk është sekret që një nga gjeneralët rusë deklaroi kohët e fundit se ata ishin gati për sulme me raketa në kryeqytetin ukrainas. Dhe, siç e shohim, ata po kryejnë granatime të tilla,” shtoi ai.

Ushtria ruse paralajmëroi të mërkurën se do të godiste “qendrat vendimmarrëse” të Ukrainës, përfshirë ato në kryeqytetin e Ukrainës.

Dy ditë më vonë Rusia kreu një sulm të tillë në një “objekt ushtarak” në periferi të Kievit./Shqip.com