Takohen Osmani e Sveçla, bisedojnë për zhvillimet e fundit në veri të vendit

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka zhvilluar gjatë ditës së sotme një takim me Ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

Temë diskutimi në këtë takim ka qenë zhvillimet e fundit në veri të vendit.

“Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur në takim ministrin e Brendshëm, Xhelal Sveçla, lidhur me zhvillimet e fundit në veri të vendit.Ministri Sveçla ka njoftuar Presidenten Osmani për hapat e ndërmarra për sa i përket sigurisë publike dhe mbarëvajtjes se funksionimit të institucioneve ligjzbatuese në veri të vendit” thuhet në njoftim.

Pas largimit nga institucionet e Kosovës gjatë ditës së djeshme, dhe dorëheqjes së Goran Rakiçit nga pozita e ministrit në Qeverinë e Kosovës, edhe Kryetarët dhe këshilltarët e katër komunave veriore kanë dhënë dorëheqje.

Dorëheqjen e kanë dorëzuar edhe kryetarët e Mitrovicës së Veriut, Leposaviqit, Zubin Potokut dhe Zveçanit.

Gjatë ditës së djeshme në pjesën veriore të vendit u mbajt një protestë e organizuar nga ana e serbëve.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka ftuar qytetarët serbë ta ruajnë qetësine e sigurinë.Sipas tij Lista Serbe është vegël e presidentit Vuçiq, që e kanë për qëllim destabilizimin e Kosovës.

Rakiq tha se këto vendime do të jenë në fuqi derisa Qeveria e Kosovës  të tërheqë vendimin për tabelat dhe të formojë Asociacionin e Komunave me Shumicë serbe.

Në anën tjetër, Bashkimi Evropian u ka bërë thirrje të dyja palëve të përmbahen nga çdo veprim i njëanshëm, i cili mund të çojë në tensione të mëtejshme.