Takim miqësor mes Kurtit e Escobarit, partneriteti mes dy shteteve mbetet i palëkundshëm

Në kuadër të vizitës së të dërguarit e SHBA-ve për Ballkanin Perëndimor në Kosovë, Gabriel Escobar u zhvillua një takim edhe me kryeministrin Kurti.

Me këtë rast, Kurti tha se është kënaqësi takimi me një përfaqësues që është kontribues i paqes në rajon.

“Escobar është kontribues i madh për paqen e sigurinë jo vetëm të Kosovës por edhe të rajonit. Folëm për peshën dhe rëndësinë e raporteve tona dy palshe, për progresin dhe reformat në Kosovë, dhe për raportet ndermjet Kosoves e Serbisë”, tha Kurti.

Kosova ka vullnet për arritjen e një marrëveshje dhe se si shtet është palë konstruktive në procesin e dialogut, me njohje reciproke në qendër tha mes tjerash Kurti.

Sipas tij Shtetet e Bashkuara dhe Kosova janë aleatë në vlera dhe partner në qëndrime.

Ndërsa në fjalën e tij, Escobar, u shpreh se partneriteti mbetet i palëkundshëm dhe se SHBA-të e mbështesin Kosovën në të gjitha aspiratat për integrime euro-atlanike.

Temat e diskutimit në takim sipas të dërguarit të posaçëm ishin implikimet rajonale të dialogut, sovranitetit të shtetit dhe kornizat e dialogut me Serbinë.

I dërguari i SHBA-ve për Ballkanin Perëndimor sot gjatë ditës është duke qëndruar në Kosovë dhe se pas presidentes Osmani e kryeministrit Kurti, do të takohet edhe me përfaqësues të opozitës.