Sveçla: Pikat kufitare Jarinjë dhe Bërnjak janë të hapura – mbrëmë pati sulme ndaj qytetarëve e tentim vrasjeve ndaj policëve

Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka thënë se Barrikadat e vendosura nga strukturat ilegale serbe mbrëmë, 15 minuta pas lëshimit të sistemit të alarmit dhe të shpërndara në 9 lokacione të ndryshme në veriun e vendit, tashmë janë larguar plotësisht nga vetë ata.

Përmes një reagimi në rrjetin social në Facebook, Sveçla është shprehur se liria e lëvizjes është e plotë dhe pikat kufitare Jarinje dhe Bërnjak janë të hapura për qytetarët.

Sveçla është shprehur po ashtu se këto sulme ishte të planifikuar në Rashkë.

“Këto sulme ishin të përgatitura që një kohë të gjatë e këto përgatitje kulmuan nga takimet në Beograd e në Rashkë. Sulmet e tilla nuk i kontribuojnë stabilitetit të vendeve tona dhe rajonit sepse mbi të gjitha Qeveria jonë ka marrë dy vendime duke respektuar ligjet vendore dhe ndërkombëtare. Siç jemi zotuar edhe mbrëmë, si Qeveri e Republikës së Kosovës, me largimin e barrikadave dhe sigurimin e lirisë së lëvizjes për qytetarët tanë, ne e zhvendosëm zbatimin e vendimeve për datën 1 shtator 2022, me qëllim të ruajtjes së stabilitetit në vend dhe rajon”, ka thënë Sveçla.

Më tutje Sveçla është shpehur se krijimi i panikut, shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm, lëvizja e personave të armatosur e të maskuar brenda vendit, rrahja brutale e qytetarëve tanë si dhe tentim vrasja e zyrtarëve tanë policorë janë veprime të papranueshme.

“Përveç sulmeve ndaj qytetarëve, dëmeve materiale e tentim vrasjeve ndaj zyrtarëve policorë, ne jemi ballafaquar mbrëmë edhe me sulme kibernetike të cilat kanë tentuar të pengojnë funksionimin shtetëror. Në këtë drejtim, ne kemi marrë të gjitha masat e nevojshme dhe sistemi është mbrojtur suksesshëm”, ka thënë më tutje Sveçla.

Veprimet tona si shtet janë tërësisht ligjore dhe brenda të gjithë mekanizmave tanë ne do të veprojmë në zbatim të plotë të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, thotë Sveçla./Shqip.com