Sveçla kërkon nga Policia që sa më shpejtë ta kapë autorin e vrasjes në Gllogjan

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

Ministri Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka reaguar pas tragjedisë që ndodhi në Deçan, ku mbetën të vrarë të paktën tre persona.

Ministri Sveçla ka thënë se pas lajmit që e mori për tragjedinë ka ndërprerë menjëherë vizitën në Shqipëri dhe është nisur për në Deçan, shkruan Shqip.com.

“Menjëherë e kam ndërprerë vizitën dhe aktivitetet e parapara në Shqipëri dhe jam rrugës për në Deçan”, ka shkruar në Facebook.

Më tutje ka theksuar se është në linjë të vazhdueshme telefonike me drejtuesit e rendit për të qenë i informuar për rastin.

“Ndërkohë, kam qenë dhe jam në telefon me drejtuesit e forcave të rendit, për pasojë nuk kam mundur t’i drejtohem më herët opinionit public”.

Ai tha se ka kërkuar angazhim maksimal nga Policia e Kosovës  në mënyrë që autori i krimit të arrestohet sa më parë.

“Kam kërkuar nga Policia e Kosovës angazhim dhe mobilizim maksimal, me të gjitha njësitë dhe formacionet e nevojshme, në mënyrë që autori i këtij akti makabër të arrestohet sa më pare”, ka thënë Sveçla.