Sulm me armë zjarri në autobusin me nxënës në Deçan, tre të vdekur

Vrasja në Deçan.

Një person ka mbetur i vdekur si pasojë e plagëve të marra pas të shtënave me armë zjarri që ndodhën pasditen e së premtes brenda një autobusi në Deçan, njofton Shqip.com.

Vdekjen e viktimës e ka konfirmuar për Gazetën Shqip.com, drejtori i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Deçan, Selmon Berisha.

Berisha më tej njoftoi se edhe disa persona të tjerë janë duke u transferuar për në Emergjencën e Spitalit Rajonal të Pejës.

“Momentalisht jam në vendin e ngjarjes. Mund ta konfirmoj vdekjen e një personi brenda autobusit, ndërsa disa persona të tjerë të lënduar janë transferuar për në Spitalin e Pejës”, tha ai.

Përveç personit që tashmë ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes, deri më tani dihet se edhe dy persona të tjerë kanë marrë lëndime trupore.

Se këta persona kanë mbetur të lënduar për redaksinë e ka konfimuar zëdhënësi i policisë për rajonin e Pejës, Fadil Gashi, i cili tha se rasti ka ndodhur rreth orës 19:00, saktësisht në fshatin Gllogjan.

Ai tha se bazuar në informacionet e para të policisë, nuk dihet nëse të lënduarit janë jashtë rrezikut për jetë.

Derisa nga Prokuroria Themelore në Pejë thonë se prokurorja kujdestare ka shkuar në vendin e ngjarjes ku dyshohet se ka të shtëna me armë zjarri në drejtim të një autobusi me udhëtarë.

Zëdhënësi i prokurorisë, Shkodran Nikçi thotë se deri më tani personat që kanë gjuajtur me armë janë ende të panjohur, ndërsa autobusi që është sulmuar ishte duke lëvizur nga Deçani për në fshatin Gllogjan.