Stoltenberg: Rusia është duke kërcënuar edhe Bosnjë-Hercegovinën

Sekretari i përgjithshëm i NATO-së, Jens Stoltenberg ka deklaruar se Rusia është duke kërcënuar edhe shtetet e tjera me pushtim dhe destabilizim.

Ka përmendur Bosnje-Hercegovinën, Gjeorgjinë dhe Moldavinë si tri shtetet të cilat rrezikohen nga veprimet e Federatës Ruse.

Thotë se para pushtimit të Ukrainës trupat ushtarake ruse kishin pushtuar pjesë të territorit të Gjeorgjisë si dhe Moldavisë.

Stoltenberg deklaron se involvimi rus në Bosnje-Hercegovinë ka ndodhur nëpërmjet elementëve të saj të cilët dëshirojnë fillimin e një lufte etnike.

Ai është zotuar se aleanca ushtarake e NATO-së do u ndihmojë këtyre shteteve.

“Rusia ka tentuar të demonstrojë fuqinë e saj duke u përzierë në politikën e këtyre shteteve dhe në proceset e tjera. Ose duke i pushtuar ushtarakisht. Gjeorgjia është pushtuar nga Rusia dhe trupat ruse kontrollojnë disa pjesë të territorit të Gjeorgjisë”

“Në Moldavi në një pjesë të territorit janë trupat ruse pa pëlqimin e Qeverisë së Moldavisë.  Në Bosnje e Hercegovinë ne po shohim një situatë të paqëndrueshme me një fjalor nxitës. Po shohim probleme të unitetit në atë shtet. Edhe në të kaluarën para pushtimit të Ukrainës këto shtete kanë pasur probleme të mëdha të cilat janë shkaktuar nga Rusia” , ka thënë ai. /Shqip.com