Stoltenberg i NATO-s pas takimit me Biden: Perëndimi duhet të përgatitet për një rrugë të gjatë

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg dhe Presidenti i SHBA-së, Joe Biden

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg ka thënë se vendet perëndimore duhet të “përgatiten për një rrugë të gjatë”.

Këto komente i bëri duke folur me gazetarët pas takimit me Presidentin e ShBA-së, Joe Biden në Shtëpinë e Bardhë të enjten, raporton BBC.

Stoltenberg tha se NATO duhet të vazhdojë të mbështesë Ukrainën në atë që po shndërrohej në një konflikt të gjatë dhe të pandërprerë:

“Thjesht duhet të jemi të përgatitur për një kohë të gjatë, sepse ajo që shohim është se kjo luftë është kthyer në një luftë shkatërrimi ku ukrainasit po paguajnë një çmim të lartë për mbrojtjen e vendit të tyre në fushën e betejës, por edhe ku ne shohim se Rusia është duke marrë viktima të larta”, tha ai.

Stoltenberg u shpreh optimist se fundi i luftës do të vijë në tavolinën e negociatave, por do jetë e lidhur ngushtë me zhvillimet në terren.

“Përgjegjësia jonë është të ofrojmë mbështetje për Ukrainën. Shumica e luftërave – dhe gjithashtu ka shumë të ngjarë kjo luftë – do të përfundojnë në një fazë në tryezën e negociatave, por ajo që dimë është se ajo që ndodh rreth tryezës së negociatave është e lidhur ngushtë me situatën në në terren, në fushën e betejës, kështu që ne duhet t’i ndihmojmë, t’i mbështesim, në mënyrë që ata të arrijnë rezultatin më të mirë të mundshëm të këtij konflikti”, tha Stoltenberg.

Përndryshe, lufta në Ukrainë ka arritur në ditën e saj të 100-të, që prej se filloi më 24 shkurt të këtij viti.

Shifër kjo jubilare, që nënkupton gjatësinë që ka dhe që nuk përcakton kohën se kur mund të përfundojë. /Shqip.com