Sot nis raundi i tretë i bisedimeve Ukrainë-Rusi

Takimi Rusi- Ukrainë në Bjellorusi

Delegacionet nga Ukraina dhe Rusia do të zhvillojnë sot raundin e tretë të bisedimeve.

Kështu ka bërë të ditur negociatori ukrainas David Arakhamia në llogarinë e tij zyrtare në Facebook.

“Raundi i tretë i negociatave do të zhvillohet të hënën,” tha Arakhamia pa dhënë detaje shtesë, raporton CNN.

Agjencia shtetërore ruse e lajmeve TASS kishte raportuar se negociatori rus Leonid Slutsky konfirmoi gjatë një transmetimi të drejtpërdrejtë në kanalin Soloviev Live YouTube se raundi i tretë i bisedimeve do të zhvillohet më 7 mars.

Slutsky më herët i tha kanalit shtetëror rus Russia-24 se, “Gjatë raundit të dytë, pala ukrainase demonstroi aftësinë e saj për të negociuar”, sipas TASS.

“Ata e kuptojnë se jetët e njerëzve janë në rrezik. Ky është prioriteti ynë i përbashkët. Të paktën, kështu ishte gjatë bisedimeve,” tha Slutsky sipas TASS.

Arakhamia dhe Slutsky nuk thanë se ku do të zhvillohen negociatat.