Situata në veri mbledh kabinetin qeveritar

Sot është mbledhur kabineti qeveritar për të diskutuar për situatën e krijuar në veri të Kosovës.

Siç ka njoftuar zyra e kryeministrit, thuhet se ky takim u bë me ftesën e Albin Kurtit.

“Me ftesë të Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, kabineti qeveritar sot mbajti një takim që në rend të ditës kishte diskutimin për situatën aktuale dhe zhvillimet e fundit në vend. Duke theksuar rëndësinë e mbarëvajtjes së punës së institucioneve dhe shërbimeve që ato ofrojnë, gjatë diskutimit u konfirmua se institucionet vartëse të secilës ministri kanë vazhduar pandërprerë përmbushjen e detyrave në kuadër përgjegjësive që kanë”, thuhet në njoftimin e ZK-së.

Tutje, në njoftim thuhet se Kurti ka bërë sërish thirrje që të mos bojkotohen institucionet e Kosovës.

“Kryeministri Kurti u shpreh se ligjshmëria dhe kushtetutshmëria e Republikës nuk mund të komprometohen, ndërkaq që dialogu dhe institucionet nuk kanë alternativë. Ai përsëriti thirrjen që mos të bojkotohen ose braktisen institucionet e Kosovës, të cilat i shërbejnë çdonjërit pa dallim”.

Kujtojmë se Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që deri me 21 nëntor të bëjë qortimin ndaj shoferëve të cilët vozisin automjete me targa të lëshuara nga autoritetet e Serbisë e që cilësohen ilegale në Kosovë.

Pas datës 21 për të vazhduar deri me 21 janar është masa për shqiptimin e gjobave ndaj këtyre shoferëve. Për dy muaj të tjerë do të ketë tabela testuese si dhe lehtësira në regjistrim deri me 21 mars por, pas kësaj date nuk do të ketë më lehtësira.

Data 21 prill e vitit të ardhshme shënon afatin e fundit që lejon qarkullimin e automjeteve me targa ilegale Brenda territorit të Kosovës.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës patën kërkuar nga Kosova shtyrje të afatit për targa por kjo kërkesë nuk u merr parasysh.

Të njëjtën linjë me SHBA-në qëndron edhe Bashkimi Evropian – Ata e quajnë legjitim vendimin për targa por thonë se kjo duhet të  bëhej Brenda një periudhe kohore prej 12 muajsh.

Kjo situatë ka ndikuar edhe në gjendjen në veri të Kosovës – Qeveria ka pezulluar drejtorin e Policisë Rajonale në Veri Nenad Gjuriq për shkak se nuk e zbatonte vendimin për qortim ndaj qytetarëve serb.

Në shenjë proteste, Lista Serbe ka kërkuar që të gjithë serbët të bojkotojnë institucionet e Kosovës. Pjesëtarët e Policisë së Kosovës kanë zhveshur dje uniformat e tyre.

Nga detyra e ministrit të Kosovës ka dhënë dorëheqje edhe Goran Rakiq, ndërsa gjatë ditës së sotme kësaj ju janë bashkuar edhe katër kryetarët e komunave me shumicë serbe.

Sot gjatë ditës është mbajtur edhe një protestë në veri, nga e cila u kërkua formimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.