Sipas Kremlinit anëtarësimi i Finlandës në NATO është një kërcënim për Rusinë

Dmitry Peskov

Rusia do ta shihte pranimin e Finlandës në aleancën ushtarake të NATO-s si një kërcënim dhe masa nuk do të kontribuonte për më shumë siguri.

Një gjë të tillë e tha të enjten zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.

“Siç kemi thënë shumë herë më parë, zgjerimi i NATO-s nuk e bën botën më të qëndrueshme dhe të sigurt,” u tha Peskov gazetarëve pasi politikanët kryesorë të Finlandës deklaruan mbështetjen e tyre për një aplikim për anëtarësim në NATO.

Peskov shtoi se reagimi i Rusisë do të varet nga zhvillimi i infrastrukturës ushtarake të NATO-s.

“Do të varet se çfarë do të sjellë ky proces zgjerimi, sa larg dhe sa afër kufijve tanë do të lëvizë infrastruktura ushtarake”, tha Peskov.

Rusia do të analizojë situatën me hyrjen e Finlandës në NATO dhe do të përpunojë masat e nevojshme për të garantuar sigurinë e saj, shtoi ai.

Presidenti dhe kryeministrja e Finlandës njoftuan mbështetjen e tyre për anëtarësimin në NATO të enjten, duke e çuar vendin nordik që ndan një kufi prej 800 miljesh me Rusinë një hap më afër anëtarësimit në aleancën ushtarake të udhëhequr nga SHBA.

Deklarata e mbështetjes për NATO-n nga presidenti, Sauli Niinisto, dhe kryeministrja, Sanna Marin, ishte e pritshme, pasi qeveria finlandeze dorëzoi së fundmi një raport mbi sigurinë kombëtare në parlamentin e vendit, i cili përvijoi rrugën drejt anëtarësimit në aleancë si një nga opsionet e Finlandës, shkruan CNN./Shqip.com