Shumë shtëpi bllokohen nga vërshimet në Kuçicë të Skenderajt, bëhet thirrje për evakuim

Tetë shtëpi vetëm në lagjen ‘Smajli’ të fshatit Kuçicë të Komunës së Skenderajt janë bllokuar për shkak të rritjes së nivelit të ujit nga vërshimet.

Banori i kësaj lagjeje, Granit Smajli tha për Shqip.com se shtëpi të bllokuara ka edhe në lagjet tjera të këtij fshati, banorët e të cilit kanë kërkuar edhe ndihmë nga organet kompetente.

“Tetë shtëpi janë të bllokuara nga reshjet e shiut vetëm në lagjen Smajli. Ka shtëpi të bllokuara edhe në lagjet e tjera. Banoret kanë kërkuar ndihmë edhe nga policia dhe organet kompetente, por nuk iu është ofruar.”, tha Smajli.

Smajli thotë se banorët kanë bërë thirrje edhe për evakuimin e tyre për shkak të gjendjes së rënduar.

“Policia ka ardhur, por nuk kanë dal as nga vetura. Nga banorët është bërë thirrje edhe për evakuimin e tyre se gjendja është e keqe”.

Tutje, Smajli thotë se banorët kanë mbetur edhe pa energji elektrike.

Në pamjet e dërguara në redaksinë e Shqip.com, shihet rritje e konsiderueshme e nivelit të ujit për shkak të vërshimeve në këtë fshat.