Shtëpia e Bardhë i përgjigjet vendimit të Rusisë për t’i vënë forcat bërthamore në gatishmëri të lartë

Shtëpia e Bardhë në Uashington

Sekretarja për media e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki, ka thënë se vendimi i presidentit rus, Vladimir Putin, për t’i vënë forcat bërthamore të Rusisë në gatishmëri të lartë, është pjesë e një modeli më të gjerë të përshkallëzimit të paprovokuar dhe “kërcënimeve të fabrikuara” nga Kremlini.

“Ky është realisht një model që e kemi parë nga Presidenti Putin gjatë rrjedhës së këtij konflikti, i cili po prodhon kërcënime për të arsyetuar agresionin e mëtejshëm – e komuniteti global dhe populli amerikan duhet ta shikojnë atë përmes këtij prizmi,” i tha Psaki gazetarit të ABC-së, George Stephanopoulos, raporton CNN.

Ajo shtoi: “Kjo është e gjitha një model i Presidentit Putin dhe do të ngitemi kundër, ne kemi aftësinë ta mbrojmë veten, por gjithashtu duhet të cekim çka po shohim nga Presidenti Putin”.

Kur u pyet për ndihmë të mëtejshme ushtarake ose për sanksione, Psaki tha se SHBA është e gatshme të dërgojë më shumë furnizime njerëzore, ekonomike, dhe ushtarake për mbrojtje, duke vënë në dukje njoftimet më të fundit të administratës për ndihmë që nga kur filloi konflikti.

“Unë do të theksoja se sanksionet që ne shpallëm dje e vendosin Rusinë në të njëjtin nivel me Iranin, duke i shkëputur ato nga një sistem bankar me komunitetin botëror”, tha Psaki.

Nën presion e pyetur nëse SHBA do të ndërmarrë veprime tjera më të shpejta kundër sektorit energjetik rus, Psaki tha se gjithçka është “në tryezë” dhe shtoi se administrata beson se konflikti aktual tregon se SHBA duhet të forcojë furnizimin e brendshëm me energji dhe ai duhet të zgjerohet përtej vajit dhe gazit.

Psaki shtoi se SHBA mbetet në kontakt të ngushtë me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky dhe e lavdëroi atë për udhëheqjen e tij gjatë ditëve të para të luftës.

“Ai po ngrihet me guxim kundër pushtimit të Presidentit Putin dhe udhëheqjes ruse,” tha Psaki. “Ne do të qëndrojmë në kontakt të ngushtë me të”