Shefja e UNMIK-ut në OKB: Marrëveshja finale duhet të arrihet pa kalkulime për përfitime të njëanshme

Përfaqësuesja Speciale e Sekretarit të Përgjithshëm dhe Shefja e UNMIK-ut në Kosovë, Caroline Ziadeh, gjatë fjalës së saj në Këshillin e Sigurimit ka thënë se ekziston një përshkallëzim në retoriken politike mes Prishtinës e Beogradit në muajt e fundit.

“Që nga pranvera e kaluar, ne të gjithë kemi vërejtur disa përshkallëzime në retorikën politike… si dhe disa momente të tensionit akut në terren. Këto rrezikuan të zmbrapsnin shumë nga rezultatet e arritura më parë përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja”, tha Ziadeh në fjalën e saj.

Sipas saj dialogu mes dy shteteve duhet të orientohet nga ajo që kalkulimet politike nuk duhet të jenë primare dhe se kompromisi është e vetmja mënyrë për të arritur marrëveshjen finale.

“Ka shumë zgjedhje që duhen bërë nga liderët politikë në ditët në vijim se si të menaxhojnë ambiciet dhe objektivat e tyre duke pasur parasysh konturat e pasigurisë më të gjerë ekonomike dhe të sigurisë në këtë kohë. Zgjedhjet mes bashkëpunimit apo ndarjes, mes kërcënimeve apo veprimeve të vullnetit të mirë, në mes të kompromiseve apo kalkulimeve për përfitim të njëanshëm,” tha ajo. 

Përfaqsuesja Ziadeh, mes tjerash ka thënë se Kosova po punon në fushën e sundimit të ligjit duke tërhequr diagonal me procesin e liberalizimit të vizave.

“Qeveria e Kosovës mbetet e fokusuar në adresimin e çështjeve kritike në lidhje me sundimin e ligjit, përpjekje që  presim të jenë vërejtur nga shtetet anëtare evropiane që peshojnë qëndrimet e tyre për regjimin e vizave dhe të udhëtimit për popullin e Kosovës”, tha Ziadeh.

Ziadeh në pjesën e fundit të raportimit tha se marrëveshja finale kërkon përfshirje të gjerë dhe se presin bashkëpunim me institucionet e Kosovës.

“Tani jam gjithnjë e më e bindur se çdo marrëveshje ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës mund të arrihet dhe zbatohet vetëm me një shkallë të lartë të përfshirjes dhe pronësisë publike. Ne presim të bashkëpunojmë me institucionet e Kosovës bazuar në mirëbesim dhe respekt të plotë për njëri-tjetrin,” përfundoi fjalimin e saj, Ziadeh./SHQIP.com/